Eleminimi nga Championsi, Barça ka të ardhme, por a mund të presë Mesi?!

Pas katastrofës 1-4 në “Kamp Nou” askush nuk e merrte seriozisht një përmbysje të rezultatit në “Park dë Prensis”. As Barcelona nuk është ajo e vitit 2017, as Paris SG nuk ka mbetur në atë nivel. Kështu që eleminimi i katalanasve nga Championsi në përfundim të barazimit 1-1 në Francë ishte përfundimi logjik i këtij sezoni. Të paktën, ishte shumë më dinjitoz, shumë më i respektuar dhe shumë më premtues sesa disfata 0-3 në Romë në 2018, “dajaku” 0-4 në Liverpul në 2019 dhe shkëmoqja 2-8 ndaj Bajernit vjet.

Mediat madrilene dhe katalanase shkruan se “pavarësisht se Barça ofroi versionin më të mirë, nuk e mundi dot PSG-në, por gjithsesi, ky ekip jep shpresë se mund të rindërtohet”. Kilian Mbape shënoi me penallti golin e parë për vendasit, por Mesi iu përgjigj me një gjuajtje nga 25 metra që solli barazimin. Në fund të pjesës së parë, ekipi i trajnerit Kuman pati rast për golin e dytë, por Mesi humbi penalltinë. Sipas, të përditshmeve “AS”, “Sport” dhe “El Mundo Deportivo”, gjyqtari gaboi pasi penalltia e pritur nga Navas duhej përsëritur (Verrati hyri në zonë).

Mesi tani është jashtë Ligës së Kampionëve, ashtu si Kristiano Ronaldo, por që të dy mbeten shënuesit më të mirë. Argjentinasi ka 120 gola ndaj 134 të Ronaldos, Leo ka gjithashtu 660 gola për Barcelonën dhe 731 gola në karrierë, që do të thotë se do të vazhdojë ndjekjen e Pelesë, Romarios, Kristiano Ronaldos apo Bicanit. Në Champions, Levandovski ka 72 rrjeta, Raul Gonzales 71 dhe Karim Benzema 69.

Sfidanti.al