Nuk përfundoi 18-0, por punë e madhe, Siti shënoi 5 gola për tri pikë!

Pep Guardiola as nuk deshi të dëgjonte për parashikim rezultati apo për një fitore tepër të thellë, por kur Mançester Siti i tij është në formë, atëherë kjo gjë vjen vetvetiu. “Qytetarët” e katalanasit lanë pas humbjen e papritur (dhe të pamerituar) në derbi ndaj Mançester Junajtidit, duke shënuar 5 gola në portën e Sauthemptonit. Nuk përfundoi 18-0 siç tha me shpoti Guardiola ditën e djeshme, por edhe 5-2 nuk është aspak gjë e vogël. Si me të tallur, Siti u ngjit në kuotën e 61 golave në Premier Ligë, në 29 ndeshje, e ndonëse nuk është në mesataren 3 për ndeshje që ka si normë Pepi, sërish është mirë. Golat u shënuan nga De Brujn, Mahrez, Gyndogan, sërish Mahrez dhe sërish De Brujn. Sauthemptoni barazoi përkohësisht në 1-1 dhe shkurtoi më pas në 2-4. Shkaktoi habi fakti që Guardiola nuk e hodhi në fushë asnjë minutë Sergio Agueron, ndonëse argjentinasi ishte i gatshëm në stol. Ndoshta do ta ruajë për Championsin. Siti kryeson kampionatin me 68 pikë, ndërsa Junajtid ka 54 me një ndeshje më pak të luajtur.

Sfidanti.al