Liverpuli i Championsit është ndryshe nga ai “anglez”, por a mund të fitojë?!

Nuk dihet nëse kjo fitore mund t’i bëjë që ta ndryshojnë “formatin” kur të kthehen në “Anfild”, por kuptohet qartë se të kuqtë janë ekip që u pëlqen më shumë të luajnë në Champions. Edhe pse u eleminuan vjet nga Atletiko në të tetat e finaleve, sërish yjet e Liverpulit e ndjejnë veten mirë në Europë, siç e tregojnë finalet e vitit 2018 e 2019 (kur u mor titulli), ashtu si dhe finalja e Ligës së Europës në 2016.

Suksesi ndaj Lajpcigut me shifrat e përgjithshme 4-0 ishte i merituar dhe tregoi se skuadra e trajnerit Jurgen Klop është shumë më e fortë sesa e tregon “theqafja” e momentit në Premier Ligë. Edhe pse Lajpcigu mbajti topin 60 për qind në Budapest, Liverpuli pati 7 gjuajtje në kuadrat ndaj vetëm 2 të gjermanëve, dhe kornet i pati 5-1. Salah e Mane shënuan golat për 2-0. “Fitorja bën një ndryshim të madh, – tha Klopi, – mesfusha jonë luajti shumë mirë. Ky sukses duhet të jetë si një shtysë, por duhet të jemi gati. Ne krijuam shumë raste, por ne jemi pikërisht të tillë, krijojmë shumë dhe humbasim shumë. Nuk lejuam që Lajpcigu të tregonte veten sesa i fortë është”.

Rëndësi të madhe pati kthimi i Fabinjos në mesfushë, që nga qendra e mbrojtjes, dhe kur Klopi e pyeti “të pëlqen më shumë pozicioni numër 6 sesa ai prapa”, përgjigja ishte: “Po”! Tani, pyetja është nëse Liverpuli do të përqëndrohet në Champions, për ta fituar, apo do të kërkojë katërshen në Premier. Në fund të fundit, a mund ta fitojë Liverpuli Championsin?

Sfidanti.al