Bëmë baba të të ngjaj!  Edhe futbollistët 17 vjeçarë…kanë gjak të fortësh!

E duam dhunën në futboll apo nuk kemi ku ta çojmë? Sa herë që topi nuk mjafton për të zgjidhur problemet e një loje për të cilën  thonë se ndihmon harmoninë ,  futbolli trukohet në boks dhe kokat e futbollistëve shndërrohen në ..dardhë boksi, ajo që goditet pa mëshirë! Dhe dhuna jonë ,edhe pse ka dhuruar pamje të frikshme,  skena me gjak të vërtetë e jo si nëpër  filma, është “ menaxhuar për mrekulli”.  Akoma nuk ka të vdekur, por vetëm të plagosur. Si herën e fundit, një skenë që nuk shqitet kollaj, koka e gjakosur e trajnerit Bekim Kuli në ndeshjen Bylisi me Laçin,  një kokë që nga Komisioni i Disiplinës, me ato denime që sajoi , gati sa s’thuhet se nuk ishte kokë me vlerë..si ato të zyrtarëve të FSHF-së !

Dhe, na pëlqen apo s’na pëlqen, kultura e dhunës po rrënjoset me marifet,  po përcillet ndër breza si një zakon  i të parëve,  tamam si ajo shprehja “bëmë baba të të ngjaj “.  Kështu, ajo që ka ndodhur pak ditë më parë  , në ndeshjen e 17 vjeçarëve të Egnatias dhe Bylisit brënda dhe jashtë fushe , mund të konsiderohet si një “Vaterlo futbolli”. Ndaj, 7 kartona të kuq gjatë lojës duken si 7 karamele , në krahasim me skenën e dhunshme masive që krijuan futbollistët e të dy ekipeve.  Janë vetëm 17 vjeç dhe kur luftonin ndaj njëri- tjetrit  dukeshin sikur ishin të ..futbollit superior! Një futboll që në librin e tij e  ka të shkruar me gërma të mëdha: fiton më i forti, dhe jo më i zoti në lojë!

Sfidanti.al