Konte: E ardhmja? Për mua ekziston vetëm e tashmja!

Nuk mund të kishte moment më të papërshtatshëm për ta pyetur për kontratën, por trajnerët e futbollit gjithnjë e kanë moment të keq për të dhënë një përgjigje të tillë. Antonio Konte e shtyu mënjanë pyetjen për të ardhmen, dhe u përqëndrua tek dita e hënë, tek e sotmja, ditë kur luhet ndeshja ndaj Atalantës në “San Siro”. “Unë kam edhe një vit kontratë pas këtij, por për mua ekziston vetëm e tashmja, – tha ai, – vetëm këtë mund të them për të ardhmen time. Kryesore është të jemi gati për ndeshjen”.

“Atalanta është shumë e ashpër, shumë e fortë, – vazhdon tekniku zikaltër, – ndaj ekipeve të mëdhenj ka luajtur gjithnjë mirë dhe ka marrë pikë. Gjithsesi, dy vitet e fundit, po t’i marrësh bashkë, askush nuk ka fituar kaq shumë pikë sa ne. Atalanta ishte e shkëlqyer ndaj Juventusit, Milanit, Napolit apo Liverpulit, por i kemi studiuar ndeshjet. Jemi ndeshur katër herë me të që kur unë jam këtu, pra e njohim dhe na njeh”. Konte vlerësoi shumë kolegun Gasperini, dhe që të gjithë lojtarët e Atalantës, duke veçuar Murielin që “i ka nisur shpesh ndeshjet nga stoli dhe ka vendosur rezultatin”. Inter-Atalanta luhet në 20:45 me milanezët që kryesojnë Serinë A me 59 pikë, ndërsa bergamasët kanë 49 pikë në vend të 5-të.

Sfidanti.al