O  burra ta shesim Vllazninë! Gratë kanë 8 marsin, “burrat e ankandit”..9 marsin!

Këtë herë në Shkodër mezi po presin “festën” e 9 marsit?  Në 8 mars do të festojnë gratë, më 9 mars do të festojnë “burrat e futbollit”, sidomos ata që priren jo nga topi, por nga pronat e tij. Ç‘na qënka ky 9 marsi? Do t’u bëka  ankandi për shitjen e aksioneve të Vllaznisë. Një shitje që çnderon historinë e klubit kur dëgjon çmimin “simbolik” që i kemi vënë klubit mëmë të futbollit: 500 milion ( te vjetra) Vllaznia dhe gati trefishi i saj qënka borxhi i klubit! Atëhere pse nuk themi të vërtetën:  ankandi po shet borxhet ..më shumë se  vetë Vllazninë. Na duhet të kopjojmë filmin për Maradonën, ku  tifozët  shkojnë tek muri i varrezave dhe që t’i shkruajmë brezave të nderuar të futbollit shkodran: ju nuk e dini çfarë turpi  po ngjet në ankandin e Vllaznisë..!

Dhe kur po ndodh kjo shitje “historike”? Tamam në ditët që ekipi i Vllaznisë po rrezikon më shumë se kurrë një kampionat, të cilin  guxoi ta zbukuronte më shumë sesa e meritonte vetë ai . Dikur e adhuronim të bukurën në futboll, kurse në ditët e sotme, kur topi nuk shikohet si pronë shpirtërore, por si pronë babëzie,( dhe kjo është meritë e sistemit)  e bukura nuk zgjat shumë. Mos themi se e bukura luftohet më shumë se e pabukura! Kujtoni Luftëtarin e trajnerit Milutinovic, atë që na  futi në një ëndërr të bukur për disa kohë , duke ngjallur kujtimet e arta të brezit të Brahos, Bonit e Kallucit me shokë…

..Më 8 mars do të festojnë gratë në Shkodër , më 9 mars do të “festojnë” burrat  e ankandit! Një mik nga Shkodra, ka gjetur ngushëllim tek e vetmja pronë që nuk ia blen  dot shkodranëve,  humorin e pashtershëm, duke thënë: “ Tek ne nuk të blejnë kur je e bukur, por duan të të shëmtojnë njëherë…”

Sfidanti.al