Ibrahimoviçi në San Remo, por nuk harron Lukakun dhe … Berluskonin

Është edhe mbrëmja e tij, ndonëse e pranon se i duket vetja disi si “peshku pa ujë”. Një yll i futbollit mes yjeve të muzikës nuk është një kombinim edhe aq i thjeshtë, por Zllatan Ibrahimoviç do ta provojë. Është mik në Festivalin e shquar të Italisë në San Remo, dhe do të provojë të këndojë në duet me Sinisha Mihajloviçin. Pasi bën një batutë duke thënë se “shpresoj që të mos dijë të këndojë, se kështu do të jemi në të njëjtin nivel”, bën shaka me fjalët se “e kam më të lehtë të shënoj gol sesa të jem në Festival, por nëse gaboj askush nuk ma merr për keq, e nëse dal mirë, gjej punë tjetër pasi të lë futbollin”.

Më pas i bëhen nga dy ngacmime, dhe përgjigjet me stilin e tij. Së pari e pyesin çdo të ndodhte nëse drejtuesit e San Remos do të ftonin edhe Lukakun. “Nëse dëshiron të vijë, është i mirëseardhur, – shprehet suedezi i Milanit, – ajo që ndodh në fushë, përfundon në fushë, nuk ka asnjë problem”. Ngacmimi tjetër kishte të bënte me Berluskonin, pra nëse ai do ta kishte lejuar të shkonte në San Remo nëse do të kishte qenë president. “Besoj se po, – thotë Ibra, por nuk rri dot pa ngacmuar, – ai më do shumë, ndonëse më largoi atëherë për në Paris”.

Sfidanti.al