Zidan, nervoz pas kritikave për skemat taktike tek Realit

Në pjesën e parë ndaj Sociedadit, trajneri francez nxorri përfundimin se skuadra e tij nuk po luante ashtu siç donte ai, ndonëse pati epërsi të plotë. Francezi vendosi të bënte një ndryshim taktik, nga 4-3-3 në 3-5-2, por kjo gjë u pagua shtrenjtë pas pushimit.

Me kthimin e Kasemiros në qendër të mbrojtjes, Kros e Modriç humbën kontrollin ndaj mesfushës, dhe sipas mediave spanjolle, drejtuesit e Realit “e morën shënim”. Sociedadi kaloi në epërsi dhe u desh sërish kthimi në 4-3-3 që loja të ndryshonte e të merrej të paktën pika në La Liga.

“Frenim para derbit, – shkruan “Marka”, – një Madrid i mirë lë pikë ndaj Sociedadit. Ndryshimi taktik i Zidanit krijoi probleme. Jemi 5 pikë prapa Atletikos, në “Uanda” do të jetë një finale!” Ja edhe e përditshmja “AS”: Vinisius me shpirt ndër dhëmbë! Madridi shpëton një pikë në 89’. Reali pagoi ndryshimin taktik të Zidanit. Në derbi shkohet me -5 pikë nga Atletiko!”

Pikërisht ndryshimi taknik i trajnerit u bë çështje mediatike edhe në konferencën për shtyp. “Nëse ju më pyesni tri herë për të njëjtën gjë, atëherë ndoshta ndryshimi taknik na krijoi probleme, – tha Zidan i nervozuar, – bëra ndryshim sepse nuk ishte i kënaqur me presingun tonë. Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë dhe patëm 2 raste, pas pushimit patëm edhe më shumë, dhe barazimi nuk ishte i drejtë. Jam shumë i kënaqur me skuadrën”.

Reali vërtet prodhoi lojë, dhe mungesat prishën punë. Sergio Ramos, Militao, Karvahal, Benzema dhe Hazar vazhdojnë të jenë në infermieri, ndërsa Reali ka 53 pikë në 25 ndeshje, po aq sa Barcelona, ndërsa Atletiko ka 58 pikë në 24 ndeshje. Shpresa e vetme e vërtetë, me sa duket, mbetet Championsi ku Reali është në pozita të mira pas fitores 1-0 në fushën e Atalantës dhe mund të kualifikohet për në çerekfinale.

Sfidanti.al