E qartë që mediat duan gjithmonë një hero, dhe ndoshta e ngrenë më lart se normalja, veçse a mund të thuhet kjo për Romelu Lukakun? Sulmuesi i fuqishëm po e merr për dore Interin drejt fitoreve, duke shënuar 18 gola deri tani në Serinë A, një më pak se Kristiano Ronaldo, por duke qenë në krye të renditjes. Gjithsesi, për Paolo Di Kanion kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme, madje qorton ata që habiten kaq shumë nga belgu.
“Këto gola i ka bërë edhe vjet, – thotë ish-laciali, – i ka bërë edhe në Angli, por atje nuk ka luajtur rregullisht sepse kishte të tjerë më të zotë se ai. Golat për ndeshjet e rëndësishme dhe për Championsin, ai nuk i ka bërë. Nuk po bën asgjë të jashtëzakonshme, por ato gjëra që diheshin. Ato gola për të janë të lehtë për shkak të karakteristikave që ka, ndërsa për të tjerët nuk janë”. Duket pak si tepër e ashpër kjo karakteristikë për njeriun e momentit tek zikaltërit dhe për të përzgjedhurin e Antonio Kontes. Mos vallë, trajneri interist ka bërë ndonjë gabim, apo Lukaku duhet të jetë patjetër Mesi, Ibra apo Maradona që të quhet i jashtëzakonshëm?
Sfidanti.al