Presidenti Duka flet nga Italia e radio “Kiss, kiss”  si ..doktor honoris causa

Vite më parë, kur nuk ishte anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, presidenti Duka fliste vetëm për sukseset  tona dhe intervistat i “dhuronte” brenda shtëpisë, në folezat e  sigurta ku loja ishte pikante :   Duka pyeste dhe Duka përgjigjej vetë!  Tani, me petkun e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, presidenti ynë ka gjetur një formulë më efikase : flet nga Italia për ta dëgjuar më mirë edhe në Shqipëri! Nga Radio Kiss Kiss Napoli, presidenti ynë flet për të gjitha, për thashethemet që e lidhin fatin e trajnerit Reja me ekipin e Napolit, për lojtarët tanë që po shkëlqejnë jashtë , meqë është në formë Xhimshiti, për stadiumet që pandemia i ka zbrazur dhe ai mezi po pret orën shtetrore që të lejohet  rimbushja e tyre si dikur…

Mos e humbni rastin ta dëgjoni “mbretin” kur shfaqet  nga radio  “Kiss, kiss” sepse kur flet matanë detit nuk është vetëm presidenti ynë, por duket sikur i takon edhe mbarë..Europës! Kur dëgjon zërin e presidentit tonë,duke mjekuar plagët  psikologjike të klubeve italiane, ndjehesh “krenar”  që një fajtor i madh për gjendjen e futbollit në vendin e tij, trukohet si doktor ndërkombëtar,” honoris causa”..  në tokën fqinje! Sa  frazë babaxhane kjo e zotit Duka: “ Nuk është askush kundër klubeve italiane! Nuk jam dakord me ata që thonë se janë në shënjestër të arbitrave..”

Dhe cili më mirë se ai e di marifetin me arbitrat? Italianët ndofta nuk e dinë, por ne duhet  t’i falemi si një president kampion në  shpërdorimin ndër vite që u ka bërë arbitrave tanë . Ka dhënë edhe trofe kampionati, duke i flakur  viktimen  sipër shtizave! Prandaj betohet edhe nga Italia se “kur gabojnë gjyqtarët , është pjesë e lojës!” E cilës lojë? E asaj që duket apo asaj që nuk duket, ku arbitrat dhe  futbollistët duken si  humbësit dhe shefat në UEFA apo ndër federata  janë fituesit e përhershëm!  Se mos harrojmë dhe pyetjen që iu bë për pandeminë që ka zbrazur stadiumet. Sikur ta dinin këta të “Kiss, Kiss” se personi që po intervistonin  e ka sfiduar edhe Pandeminë, pasi i kishte zbrazuar stadiumet me dënimet kolektive, sikur të mos mjaftonte dënimi kapital…mosbesimi tek nderi i lojës!

Sfidanti.al