Liga e Kampionëve për ne nis tani, ishin fjalët e Toni Krosit, dhe mesfushori gjerman e pati një farë të drejte. Ky Real, me kaq shumë trofe dhe me një brez deri diku të ngopur, ka motiv për të luajtur vetëm ndeshjet me kualifikim direkt, siç ishte kjo në fushën e Atalantës. Fitorja u arrit, minimalisht 1-0, dhe duhet quajtur rezultat shumë i mirë duke pasur parasysh se madrilenët kishin 9 lojtarë mangut për punë dëmtimesh, mes të cilëve edhe yjet kryesorë si Ramos, Benzema dhe Hazar.
Gjithsesi, sa shumë kanë ndryshuar kohët që kur Reali triumfonte në Champions në vitet 2014-2018, kur fitoi 3 nga 4 edicione. Në Bergamo, kampionët e Spanjës patën nevojë për epërsi numerike ndaj një ekipe me thuajse zero përvojë për të fituar 1-0 me golin e Ferlan Mendisë. Goli ishte shumë i bukur, por italianët protestuan. Gasperini u shpreh se “përjashtimi ishte absurd, arbitri shkatërroi ndeshjen”, ndërsa tifozët në rrjetet sociale përmendën miliardat që ka presidenti i Realit, Florentino Perez.
“Bëmë detyrën, – tha trajneri Zidan, – nuk ishte e lehtë, por rëndësi ka që morëm fitoren. Kualifikimi nuk është arritur ende”. Mediat spanjolle theksuan se Reali mbrojti nderin e Spanjës pasi katastrofave të Barcelonës, Seviljes dhe Atletikos, ndërsa Championsin e ka si shtëpinë e vet. Sa për skuadrat italiane, ato janë krizë pas humbjes së Lacios, dhe asaj të Juventusit, ndonëse Atalantës nuk I vihet faj.
Sfidanti.al