Gjithçka pritej, por ajo që ndodhi ishte më e mirë sesa shpresohej. Ernest Muçi i dha fund karrierës së tij tek Tirana për t’u transferuar menjëherë tek Legia e Varshavës. Klubi polak fitoi konkurrencën për të marrë shërbimet e sulmuesit 19-vjeçar, pasi bëri ofertën më të mirë te bardheblutë. Sipas burimeve pranë presidentit Refik Halili, Tirana do të fitojë 500 000 euro gjithsej, nga të cilat 250 000 euro tani e 250 000 euro të tjera në verë, ndërsa do të ruajë të drejtën për 20 për qind të kartonit, në një transferim të dytë të mundshëm të lojtarit.
Futbollisti 19-vjeçar ka qenë titullar i padiskutueshëm e bardhebluve gjatë këtij sezoni duke shënuar 5 gola e shërbyer 4 asistë në 20 ndeshje. Ai u dallua edicionin e kaluar kur doli kampion, duke hyrë në fushë si zëvendësues e duke shënuar gola të rëndësishëm, sidomos tri herë në ndeshjet derbi ndaj Partizanit, e duke krijuar golin e shënuar nga Kobina në fitoren e famshme 2-1 në dhjetor të 2019-ës. Ai u shqua edhe në Champions duke ndihmuar Tiranën në dy ture ndaj Dinamos së Tbilisit dhe Crvena Zvezdës, në një paraqitje mjaft të suksesshme nën drejtimin e trajnerit Emanuel Egbo. Muçi është pjesë e Shqipërisë U21 për të cilën ka luajtur 4 ndeshje, ka shënuar dy gola e ka shërbyer një asist.
Sfidanti.al