Shqipëria dhe Kosova janë vendosur në një grup në kampionatin botëror të futbollit të femrave. Shorti I hedhur në Nion të Zvicrës përcaktoi që kombëtarja shqiptare e vajzave dhe ekipi përfaqësues I Kosovës do të luajnë në grupin 2 paraeleminator të Kupës së Botës.
Shqipëria do të jetë vend pritës në ndeshjet që do të zhvillohen në datat 6, 8 dhe 11 prill të këtij viti, besohet në stadiumin “Elbasan Arena”, aty ku kombëtarja e femrave zhvilloi së fundmi miqësoren me Italinë U19.
Përveç Shqipërisë e Kosovës, në grup bëjnë pjesë edhe Greqia e Malta. Interesant është fakti se Greqia nuk e njeh shtetin e Kosovës, por sërish ndeshja pritet të luhet, pasi do të jetë në Shqipëri, pra në territor neutral.