Pa futboll Championsi, Tirana t’i shohë në ëndërr 800 000 euro për kartonin e Muçit!

Kandidatët për ta marrë janë të shumtë, por deri tani nuk kanë kënaqur. Ernest Muçi është padyshim drejt largimit nga Tirana, por presidenti Refik Halili nuk ka dëshirë ta humbasë një nga talentet më të mirë të Superligës, në mos më të mirin, pa nxjerrë prej tij një përfitim të madh. Burime pranë klubi bardheblu bëjnë me dijë për televizionin se Halili nuk do të kënaqej me më pak se 800 000 euro për kartonin e 19-vjeçarit.

Deri tani, kjo shifër nuk është arritur, dhe të njëjtat burime theksojnë se oferta më konkrete për sulmuesin ka ardhur nga Genti i Belgjikës që jep 400 000 euro. Është folur edhe për shumë klube të tjerë nga Polonia, Zvicra, Austria, Turqia, Ukraina apo Suedia, madje flitet edhe për Veronën në Serinë A të Italisë dhe Shalken e Bundesligës gjermane.

Muçi është tashmë titullar tek Tirana, pavarësisht moshës së re. Futbollist që do të mbushë 20 vjeç në 19 mars, ka shënuar 5 gola e ka shërbyer 4 asistë në 19 ndeshje të Superligës këtë sezon, e padyshim pritet të përmirësohet edhe më shumë. Ai nisi të dallohej që sezonin e kaluar, kur trajneri Emanuel Egbo filloi ta aktivizonte si zëvendësues, duke shënuar edhe disa gola të rëndësishëm sidomos në ndeshjet derbi ndaj Partizanit.

Tirana u shpall kampion dhe u paraqit shumë mirë në Champions, me Muçin që u dallua ndaj Crvena Zvezdës së Beogradit në raundin e dytë në “Arenën Air Albania”. Padyshim, Tirana do ta kishte më të lehtë për të fituar shumë nga kartoni i tij, nëse do të ishte sërish në pretendime për titullin dhe përsëri në Champions sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al