Odise Roshi braktis “dimrin rus”, a do ta ringjallë karrierën në “pranverën hungareze”?!

Karrierës së tij në vendin e madh duket se i erdhi fundi. Odise Roshi do të largohet nga Premier Liga e Rusisë për në një kampionat më pak të fortë si ai hungarez. Lojtari i krahut i kombëtares shqiptare pritet të braktisë Ahmatin e Groznit dhe të bëhet pjesë e ekipit të Dioshgjorit në Superligën e Hungarisë, një ekip ku luan edhe shqiptari tjetër Hysen Memolla, gjithashtu pjesë e kombëtares. Diosgjori është në vendin e fundit dhe shpreson që një lojtar si Roshi ta ndihmojë për të mbijetuar.

Gjithsesi, fati nuk ka qenë me shqiptarin këtë sezon, pasi ka luajtur vetëm 6 ndeshje në Premier Ligën ruse, duke shënuar 2 gola. Ai ka pasur probleme të mëdha me dëmtimet dhe ka humbur 11 ndeshje në elitën e futbollit rus, gjë që ia vështirësoi edhe më shumë karrierën. Për më tepër, 29-vjeçari ka humbur edhe vendin e titullarit në kombëtaren shqiptare, për shkak të skemës taktike të trajnerit Reja. Me rreshtimin 3-5-2, ai e ka pasur të vështirë të mbajë i vetëm krahun për shkak se Reja kërkon aftësi edhe në mbrojtje dhe jo vetëm në sulm. Roshi është një një nga emrat më të njohur të kuqezinjve që nga viti 2011, duke shënuar 5 gola në 57 ndeshje ku veçohet ai në Portugali, në fitoren 1-0 të kombëtares për eleminatoret e Europianit 2016.

Sfidanti.al