O dhunë, ne të dinim të vdekur! Laçi dënon sulmuesin, Mazrekaj..arbitrin!

Secili në orbitën e vet, të gjitha rrugët të çojnë në një drejtim, një drejtim që favorizon më shumë dhunën sesa ..antidhunën! Fill pas ndeshjes Bylisi-Laçi, ku dhuna me grushte shkaktoi  gjak në fushë dhe frikë në ekran, sidomos kur shikoje kokën e gjakosur te zv.trajnerit Bekim Kuli,  ka nisur avazi  i vjetër për të “dënuar” dhunën..  kjo damlla që  na është qepur e s’na  ndahet, kjo  flamë  që.. “cënon vlerat e futbollit tonë”.

Për Laçin mund të thuhet se ka kapërcyer edhe orbitën e vet tradicionale ,kur  ka bërë një kthesë “alla Formula 1” në pistën e disiplinës,  kur , pas ndeshjes, pa humbur kohë, ka dënuar pa afat kryerebelin Nuabueze. Ajo që panë sytë me frikë dhe  shpirti me zhgënjim  ,  është ajo që kemi vite që nuk e fshehim dot e as nuk e luftojmë dot ! Dhuna, për të cilën predikonim  se ka vdekur ne Superligë dhe gjendet vetem ne kategoritë e poshtme te  “zgafellit” ,  e hoqi maskën për t’u shfaqur në formën e plotë, me pamjen e saj  primitive të  sherrit masiv në fushë!..Dhe kur?  Tamam  në kohën kur të gjithë besonin se rreziku më i madh është pandemia dhe jo ..dhunëmania! Po çfarë do të sajojmë tani? Kur kishim tifozet në stadiume, krenoheshim se dhuna nuk kishte”lidhje gjaku” me futbollistet, por me..popullin tek shkallët e stadiumit.

..Secili në orbitën e vet, të gjitha rrugët të çojnë në një drejtim të panjohur për futbollin, por shumë të njohur për habitatin e lojes sonë! Laçi dënon sulmuesin e vet, Nuabueze, kurse futbollisti i Laçit, Mazrekaj, nga ekrani i televizionit dënon vetëm  arbitrin dhe jo  shokun e tij.. flamurtar të boksimit ne fushë.

“ Arbitri nuk e gjykoi mirë ndeshjen, ndaj lojtarët e Bylisit morën zemër dhe bënin ndërhyrje të forta, të ashpëra dhe provokuese..” Duket sikur është një tjetër Mazrekaj nga ai  që njohim prej vitesh, por, për fatin e keq,  futbollistët tanë kur ndryshojnë ekipe, ndryshojnë edhe mendime! Kështu, në “pafajësinë e vet” Mazrekaj beson se futbollistët e Bylisit morrën zemër nga pabythësia e një arbitri liliput , duke harruar faktin kokëfortë se arbitrat  mund të lodrojnë me viktimat çdo javë, por me Laçin kanë një lloj bese, një lloj frike…më shumë sesa besë!

Sfidanti.al