Barcelona fiton “El Klasikon” e koshit në finalen e Kupës

Diferenca mes dy klubeve në basketboll është mjaft më e madhe sesa në futboll, por gjithsesi momenti “thotë” Barcelona. Katalanasit fituan Kupën e Mbretit në Spanjë duke mundur në finale Realin madje në mënyrë bindëse me shifrat 88-73. Ekipi i drejtuar nga trajneri lituanez Jasikevicius ishte favorit dhe i respektoi parashikimet ndonëse turneu final i Kupës luhej në Madrid. Lojtari më i mirë në fushë ishte amerikani Kori Higins që shënoi 20 pikë, ndërsa Kalathes shtoi 12 pikë, 5 topa në tabela e 9 asistë. Lojtari me origjinë malazeze dhe pasaportë spanjolle, Nikola Mirotiç, fitoi trofeun e parë me katalanasit duke shënuar 12 pikë e kapur 5 topa në tabela. Barcelona cilësohet një skuadër me shumë talent dhe me forcë fizike, ndërsa këtë edicion jepet si favorite edhe në Euroligë, ku vitet e fundit kanë dominuar CSKA e Moskës, Reali dhe Fenerbahçe. Në total, katalanasit kanë 26 kupa ndaj 28 të Realit, ndërsa diferenca për titujt kampion në Spanjë është shumë e madhe, me 35 të Realit e 18 të Barçës.

Sfidanti.al