Mos vallë dëmtimi po e ndihmon Ramosin të rinovojë me Realin?!

Mediat madrilene kishin si një nga titujt kryesorë faktin se kapiteni i kampionëve të Spanjës u takua me drejtues të klubit në stadiumin e vogël në “Valdebebas”, gjatë ndeshjes Real-Valencia. Kjo thuhet me kënaqësi të madhe nga “AS” apo “Marka” që e cilësojnë një ndryshim të ndjeshëm të atmosferës, pasi Sergio Ramos dhe presidenti Florentino Perez kanë pasur marrëdhënie shumë të ftohta së fundmi, dhe ishin pranë prishjes përfundimtare.

Duket se dëmtimi i qendërmbrojtësit dhe ndërhyrja kirurgjikale krijoi një mundësi që kjo atmosferë të ndryshonte, sepse Perezi u interesua për shëndetin e futbollistit, duke krijuar “ura komunikimi”. Edhe takimi i Ramosit me drejtues të klubit ishte një veprim në këtë drejtim, pasi Perezi është pozitiv me koronavirus dhe pret rezultatin e testit të radhës. Në takim ishte zv. presidenti Eduardo Fernandez de Blas, drejtori i përgjithshëm Hoze Angel Sançez dhe drejtori i komunikimit Antonio Galeano. Reali është gati t’i japë rinovim dyvjeçar Ramosit, por me ulje 10 për qind të rrogës, gjë që duhet të aplikohet edhe tek lojtarët e tjerë për të ruajtur ekuilibrat financiarë të dëmtuar për shkak të epidemisë.

Sfidanti.al