Ishte ndoshta momenti më delikat. Pas disa ndalesave dhe afrimit të rivalëve, Vllaznia duhej të kalonte ndeshjen më të vështirë, edhe pse në letër paraqitej si më e lehta, atë ndaj Apolonisë në Shkodër. Me të vërtetë, skuadra e trajnerit Tomas Brdariç vuajti shumë dhe rrezikoi jashtë mase, veçse ia doli në një farë mënyre të fitonte minimalisht 1-0 dhe të ruante të paprekur distancën nga vendi i dytë i Superligës.
Sukses i rëndësishëm sepse Partizani e pati autostradë në Kamzë ndaj Kastriotit duke fituar 3-0. U desh të pritej deri sa të kalonte gati një orë lojë që Shehi të siguronte fitoren në “Loro Boriçi”, me shkodranët që kanë 40 pikë, 6 më shumë se Partizani.
Një e papritur mund të thuhet se ndodhi në “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, ku Kukësi mundi 2-0 Tiranën vendase. Ish-trajneri dhe ish-ylli i bardhebluve, Mirel Josa, fitoi ndaj ekipit të zemrës, dhe kuksianët u rikthyen sërish në pretendime të paktën për kualifikimin në Europë. Ibraimi me penallti realizoi golin e parë në 17’, ndërsa të dyja skuadrat u penguan nga cilësia shumë e keqe e terrenit, sidomos për shkak të shirave të dendura. Vendasit pretenduan edhe për penallti, por gjyqtari Hamiti nuk e sinjalizoi.
Nuk mund të thuhet se kampionët nuk reaguan dhe nuk patën raste, por gjithashtu këtë bëri edhe kundërshtari. Betejën e vullneteve e fitoi skuadra e Josës ndërsa Orges Shehi pësoi humbjen e parë në stolin tiranas. Rezultati 2-0 u vulos nga Vesel Limaj në minutën e 4-ët shtesë.
Fitore edhe për pretendentin tjetër për titull, Laçin, 1-0 në fushën e Bylisit me gol të Malotës. Një ndeshje e ashpër, e cila pati tension e përplasje fizike, që solli dy kartonë të kuq. Pas 19 javësh, Vllaznia kryeson Superligës me 40 pikë ndaj 34 të Partizanit, dhe 33 të Teutës e Laçit.
Sfidanti.al