Një sezon vërtet i vështirë për të. Elseid Hysaj nuk po mundet të ngrejë kokë këtë vit sportiv tek Napoli, dhe një tjetër dëmtim e ndali. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare pritet të mungojë deri në 3 javë pasi kreu vizitat mjekësore, ndërsa lëndimi muskulor në këmbë erdhi që në pjesën e parë të ndeshjes së Kupës në Bergamo ndaj Atalantës. Kjo do të thotë se 27-vjeçari humbet jo vetëm sfidën e sotme të kampionatit ndaj Juventusit, por edhe disa ndeshje të tjera. Mes tyre, dy sfidat e Ligës së Europës ndaj Granadës së Spanjës, si dhe ndeshjet e tjera të Serisë A kundër Atalantës dhe Beneventos.
Me shumë mundësi, Hysaj mund të jetë në dispozicion në 3 mars për duelin e kampionatit, Sasuolo-Napoli. Edhe më herët gjatë sezonit, mbrojtësi i krahut pati probleme, duke humbur 4 ndeshje në Serinë A për shkak të koronavirusit dhe problemeve me fitnesin, e po ashtu tri ndeshje në Ligën e Europës. Gjithsesi, lajmi i mirë për Hysajn është se zv. kapiteni i kombëtares duhet të jetë gati për duelet eleminatorë të Kupës së Botës. Shqipëria luan në 25 mars në fushën e Andorrës, tri ditë më vonë pret Anglinë në “Arenën Air Albania”, ndërsa në 31 mars shkon në San Marino.
Sfidanti.al