NBA, duel i madh në distancë Lebron Xhejms-Luka Donçiç

U desh prania e tij në parket që të shmangej një humbje thuajse e sigurt. Personaliteti i basketbollistit më të mirë të epokës sonë, Lebron Xhejms, bëri që Lejkërsat të fitonin një ndeshje, në të cilin ishin në -20 pikë në një moment të caktuar. Lebroni shënoi 28 pikë ndaj Memfisit, në një tjetër paraqitje shumë të mirë, duke iu afruar tripëll dabëllit me 9 topa në tabela e 8 asistë, në suksesin 115-105.

Këtyre iu shtoi 2 vjedhje topi, por edhe vetë e humbi topin 5 herë, dhe kjo ia uli vlerësimin për këtë ndeshje. Entoni Dejvis ishte lojtari më i mirë në parket me 35 pikë dhe 9 topa në tabela, ndërsa Lejkërsat mbeten në vendin e dytë në Konferencën Perëndimore me 21 fitore e 6 humbje, me bilancin e dytë më të mirë në NBA pas Juta Xhazit. U duk se Lebroni pati një duel në distancë me atë që mendohet si pasardhësi i tij.

Luka Donçiç vendosi rekordin e karrierës në basketbollin amerikan duke shënuar 46 pikë për Dallasin ndaj Nju Orlinsit. Ishte një përballje ku mbrojtjet thuajse nuk ekzistonin sepse përfundoi 143-130, dhe ylli 21-vjeçar nga Sllovenia pati edhe 12 asistë dhe 8 topa në tabela. Edhe dy lojtarë të tjerë shkëlqyen në Arenën e Dallasit, Porzingis i vendasve dhe Zion Uilliamson i Nju Orlinsit, me nga 36 pikë, por Donçiç ishte i paarritshëm.

Për momentin, slloveni është shënuesi i pestë më i mirë i NBA-së, dhe numri 2 për asistët, si dhe një nga 4 lojtarët me vlerësimin më të lartë për paraqitjet këtë sezon. Dallasi, gjithsesi, ende mbetet prapa, në vendin e 9-të në Perëndim me 13 fitore e 14 humbje.

Sfidanti.al