Strakosha ka hedhur sytë nga Gjermania: Bundesliga, sa kampionati interesant!

Në këtë klub erdhi si fëmijë, por duket se nuk do ta kalojë gjithë jetën aty. Tomas Strakosha dhe Lacio janë një çift që e kanë në krizë raportin e tyre, dhe portieri i kombëtares shqiptare pohon hapur se po shikon për mundësi të reja. Në një intervistë për “Skaj Sportin” e Gjermanisë, 25-vjeçari nuk e mohoi se ka interes për Borusian e Dortmundit dhe sidomos për një kalim në Bundesligë.

“Jam i hapur për sfida të reja, – deklaroi shqiptari, – Roma është si një shtëpi e dytë për mua, por Bundesliga është një ligë shumë interesante, dhe do të ishte një etapë e madhe për mua”.

Këtë sezon, Strakosha e ka humbur vendin e titullarit tek Lacio, dhe në portë po luan prej muajsh veterani Pepe Reina. Pasi shkëlqeu për vite me radhë, portieri kuqezi pati probleme me koronavirusin dhe me dëmtimet, që e lanë jashtë skuadre për shumë javë, moment që e shfrytëzoi Reina. Jo vetëm kaq, por duket se ai ka prishur raportet me trajnerin Inzagi, i pakënaqur me situatën.

Strakosha ndodhet tek Lacio që nga viti 2014, duke e nisur si rezervë e pastaj duke siguruar vendin në formacion me paraqitjet e tij vërtet shumë të mira. Sezon pas sezoni, ai mbrojti me sukses portën laciale, duke arritur të fitojë edhe trofe, si dhe kualifikimet në kupat e Europës, madje deri edhe në Champions.

Strakosha nuk është i vetmi lojtar i kombëtares shqiptare që mund të largohet nga skuadra e tanishme. Edhe Elseid Hysaj i ka dhënë fund shpresave për të vazhduar me Napolin, siç ka pohuar agjenti i tij Xhufredi, ndërsa mbrojtësi shkodran po shikon mundësi të tjera në karrierë.

Sfidanti.al