Kumbulla në formacion, por sa e vështirë me Ronaldon!

Trajneri i tij, Fonseka, e llogarit titullar, dhe kërkon nga skuadra diçka që thotë se e pret gjithmonë, ambicien për të dhënë maksimumin e për të fituar. Luhet Juventus-Roma sot në orën 18:00, dhe Marash Kumbulla pritet të jetë në formacionin e kryeqytetasve në ndeshjen ndoshta më të vështirë të Serisë A. Pavarësisht se dy skuadrat milaneze për momentin janë mbi “Zonjën”, sërish duhet të jetë më e vështirë të luash ndaj 9 herë kampionëve radhazi. A mund t’ia dalë Roma dhe të marrë fitoren e tretë radhazi?

“Unë kënaqem vetëm me fitoren, – thotë Fonseka, – ne kemi ekip të mirë, Xheko është stërvitur siç duhet, Borha Majoral ka potencial, ndonëse na mungon Pedro. Gjithsesi, pres një Juve më të fortë sesa fazën e parë. Pirlo ka pasur më shumë kohë për të punuar dhe kampionët kanë edhe cilësi të mëdha individuale”. Cilësitë janë Kristiano Ronaldo, Morata e Kieza në sulm, Mekkeni e Kuadrado, Kielini, Bonuçi apo Shezni. Dibala nuk luan as këtë herë ndërsa pritet të kthehet ndaj Interit në Kupë. “Roma është kandidat për titull, – thotë Pirlo, – Xheko është një lojtar-super. Kemi përballë një nga ekipet që luajnë më mirë në Itali, duhet të kemi kujdes. Sa për Ronaldon, ai është një hero”. Roma ka 40 pikë, Juventusi 39 dhe një ndeshje më pak

Sfidanti.al