Nuk dihet se çfarë mund të thotë tani Gerard Pike, apo se çfarë komenti mund të bëjnë Laporta, Ksavi e Iniesta. Kontrata e Lionel Mesit tek Barcelona jo vetëm që u botua e plotë, por tani po zbërthehet “fije për fije”. Një nga nenet më interesante të saj ishte ai që argjentinasi do të mund të largohej si lojtar i lirë nëse Katalonja do të fitonte pavarësinë. Me gjasë, ai i frikësohej faktit se Barcelona mund të përjashtohej nga La Liga, dhe ai nuk do të donte të luante në një ekip që do të bënte pjesë në një ligë rajonale si ajo e Katalonjës, apo qoftë edhe tek ajo e Francës, siç u fol në atë kohë. Edhe pse Barcelona i dha 555 milionë euro për 4 vjet, diçka e paparë ndonjëherë në futboll dhe në të gjitha sportet, sërish Mesi nuk e kishte problem të largohej sapo t’i prekej mundësia për të fituar trofe. Një nen tjetër ishte ai që kapiteni do të përpiqej më shumë për të mësuar gjuhën dhe kulturën katalanase, por kjo nuk do të kishte asnjë vlerë nëse ai do të largohej nga skuadra.
Sfidanti.al