Ishte një nga rezultatet më të thellë në historinë e Premier Ligës, dhe pavarësisht moralit që i jep fituesve, vështirë se mund të vlejë për ndonjë gjë të madhe. Dakord, Mançester Junajtidi fitoi 9-0 ndaj Sauthemptonit në “Old Traford”, veçse luajti në epërsi numerikë që në minutën e 2-të, shënoi 3 gola pas minutës së 86-të kur miqtë mbetën me 9 vetë, ndërsa kur ka ardhur puna tek sfidat me më të fortët e Anglisë, ka çaluar. Aleksandër Jankeviç doli me të kuqe në 2’, dhe Jan Bednarek në të 86-ën për vizitorët. Sipas statistikave, Junajtidi nuk ka fituar asnjë ndeshje në kampionat ndaj Sitit, Liverpulit, Totenhemit, Çelsit e Arsenalit, pra ekipeve kryesorë.
Uan-Bisaka hapi serinë e golave, Antoni Marsial pati 2, ndërsa nga një shënuan Rashford, Kavani, Mektominej, Bruno Fernandes (si ndryshe përveçse me penallti) dhe Daniel Xhejms, ndërsa Bednarek shkaktoi autogol. Sauthemptoni ishte i dobësuar që kur zbriti në fushë, duke pasur mjaft mungesa, ndërsa dy të kuqtë i prishën edhe më shumë punë. “Ishin tri pikë që mezi i prisnim, – tha trajneri vendas, Solskjer, – gjithnjë është mirë kur shënon shumë gola dhe jemi të lumtur. Humbëm disa pikë në ndeshjet e fundit ndaj duhej të reagonim. Thjesht duhet të bëjmë lojën tonë, të qarkullojmë topin dhe të vrapojmë pa top”. Mançester Junajtidi u barazua me Sitin në krye të Premier Ligës me nga 44 pikë, por duke pasur dy ndeshje më shumë të luajtura. “Djajtë e kuq” për momentin kanë shënuar numrin më të madh të golave në kampionat, 46 ndaj 43 të Liverpulit që ka një ndeshje më pak (dhe që ka 40 pikë).
Sfidanti.al