Me shumë gjasë nuk do të pranohet që të jetë i ftuar në San Remo, ndërsa gjykata sportive mund t’i japë një dënim shembullor. Edhe në Itali ka ndjeshmëri ndaj racizmit dhe fyerjeve fetare, dhe nga kjo pritet ta pësojë jo pak Zllatan Ibrahimoviç. Ylli suedez u përplas ashpër me sulmuesin e Interit, Romelu Lukaku në derbin e Milanos për Kupën e Italisë, me të dy lojtarët që lëshuan ofendime ndaj njëri-tjetrit, por ato të Ibrës mendohet se janë më të rënda.
Kjo sepse, sipas atyre që shkruajnë mediat italiane dhe sipas videove dhe regjistrimeve audo të nxjerra në rrjetet sociale, Ibrahimoviçi i ka bërë fyerje raciste dhe fetare Lukakut, i cili më pas është nxehur dhe ka lëshuar shprehje të rënda “të bëfsha nënën”, “ta numëroj në lule të ballit” etj. Sipas Kodit të Disiplinës Sportive, nëse komisioni e vlerëson sjelljen e milanistit pikërisht kështu, atëherë ai rrezikon minimalisht 10 ndeshje pezullim, por edhe më shumë.
Ndërkaq, Enti Koordinues i Shoqatave për Mbrojtjen e Ambientit dhe të të drejtave të Shikuesve ka dalë me deklaratë zyrtare kundër 39-vjeçarit. “Pas ofendimeve raciste nga Ibrahimoviç në debatin me Lukakun, duket e pamendueshme që futbollisti të jetë i ftuar në Festival (San Remo), – u shpreh presidenti Karlo Rienci, – pasi RAI do të rrezikonte që të jepte mesazhin e gabuar që kompania e toleron racizmin, duke i dhënë një vend nderi një lojtari që u bë protagonist në një episod urrejtjeje”.
Sfidanti.al