Shumë gjyqe janë zhvilluar për yjet e futbollit, dhe shumë dënime janë dhënë, por që në pjesën e fundit kanë togfjalëshin “dënim me kusht”. Ky kushtëzim ka bërë që asnjëri prej tyre të mos marrë ndonjë ndëshkim prapa hekurave, por maksimumi janë detyruar të paguajnë me para.
Një hetim është hapur në Itali për Kristiano Ronaldon dhe partneren e tij, Georgina Rodrigez, me akuzën se kanë shkelur rregullat e pandemisë së Kovidit. Çifti ka shkuar në Val d’Aosta për të festuar ditëlindjen e Georginës, ndërsa ligji e ndalonte diçka të tillë pasi Torino, si pjesë e Piemontit, është “zonë portokalli” pra me rrezikshmëri të lartë dhe kufizohet lëvizja. Karabinierët kanë nisur punën dhe pritet përfundimi i hetimeve, por realisht vështirë të ketë ndonjë dënim siç duken “bathët” deri tani. Maksimumi, mund të ketë një gjobë. Natyrisht, një shkelje e protokollit ndaj Kovidit mund të ndodhë, është njerëzore, por opinioni publik në Europë është shumë i zemëruar me yjet e futbollit që i lejojnë vetes festa të tilla, ndërsa për të tjerët është vështirë të lëvizin edhe për arsye shëndetësore.
Sfidanti.al