Më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Këtë e pati parasysh edhe Aleksis Sançez, që deshi të ishte një futbollist i lirë dhe të mos kishte një barrë turpi mbi supe. Sulmuesi kilen lajmëroi tifozët, me anë të një videoje të postuar në rrjetet sociale, se pranon që ka bërë faj lidhur me mospagimin e taksave, veçse që tani është bërë “djalë i mirë”, madje ia ka kthyer shtetit spanjoll atë që i detyrohej.
“Kam gabuar dhe ju kërkoj ndjesë, – tha sulmuesi i Arsenalit, – unë nuk pagova taksat siç duhet, por tashmë e kam shlyer detyrimin tim”. Bëhet fjalë për rreth 1.1 apo 1.2 milionë euro të cilat, Sançez thotë se ia ka kthyer “të zotit”, pra shtetit, ndërsa ka dalë përpara gjykatës. Besohet se ai do të arrijë një marrëveshje me drejtësinë katalanase, dhe nuk do të rrezikojë një gjyq që mund ta çonte në burg.