Nedim Bajrami është lajmi i Kupës së Italisë, dhe pse u kualifikua Rrahmani!

Ishin dy shqiptarë në fushë dhe jo tre në duelin për çerekfinalen, dhe të paktën njëri prej tyre ishte protagonisti kryesor. Edhe pse Empoli u eleminua me heroizëm nga Napoli në stadiumin “Maradona”, nderimin më të madh emrit të legjendës argjentinase ia bëri një shqiptar me origjinë nga Maqedonia e Veriut. Nedim Bajrami shënoi dy herë në ish-“San Paolo”, ndërsa përballë tij ishte mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani. Nuk pati minuta as këtë herë për Elseid Hysajn, që me gjasë do të largohet nga napolitanët.

Cili është Nedim Bajrami? Bëhet fjalë për një 21-vjeçar që luan mesfushor ofensiv dhe që është përshtatur shpejt tek Empoli në Serinë B. i lindur në Zyrih (disa burime thonë në Tetovë), ai ka luajtur gati gjysmën e ndeshjeve si titullar, ka qenë në fushë për gati gjysmën e minutave, dhe ka marrë pjesë në shënimin e 10 golave. Në emrin personal ka 3 rrjeta dhe 4 asistë në kampionat e Kupë. Kartoni i tij u ble për 2.7 milionë euro, ndërsa vlerën maksimale në treg e ka arritur 3.5 milionë euro kur ishte 19 vjeç. Bajrami ka luajtur në të gjithë nivelet për ekipet kombëtare të Zvicrës dhe pret të kalojë në kombëtaren e të rriturve.

Sfidanti.al