Një kombinim i madh ndodhi që përfshiu katër klube. Hjuston Rokits më në fund e kuptoi se nuk ia vlente të mbante me zor Xhejms Hardenin, i cili u bashkua me Bruklin Netsët. Kjo do të thotë se në ekipin me bazë në Nju Jork do të jenë tre nga yjet më të mëdhenj në NBA-së së sotme, Kevin Durant, Kajri Irving dhe pikërisht Harden. i pari dy herë kampion, i dyti kampion në krah të Lebron Xhejmsit dhe i treti që synon “unazën” e parë në karrierë.
Historia e dëshirës për t’u larguar nga Hjustoni nga ana e Xhejmsit ka qenë një nga më të rëndësishmet në prag të fillimit të sezonit, dhe mori zjarr përsëri pasi skuadra e tij u mund nga Los Anxhelos Lejkërsat. i mbiquajturi “Mjekra” shënoi vetëm 16 pikë ndaj 26 të Lebron Xhejmsit, ndërsa pas ndeshjes u shpreh se “ekipi ynë nuk ëstë i mirë sa duhet, e dua këtë qytet dhe kam dhënë gjithçka kam mundur, por mendoj se jemi në një situatë të çmendur që nuk mund të rregullohet”. Nga ekipi më parë janë larguar Kris Pol e Rasëll Uestbruk. Shpresohet që Harden të përshtatet shpejt me Bruklinin, ndërsa me Kevin Durantin ka luajtur tek Oklahoma, kur ishin të rinj duke mbetur miq.
Sfidanti.al