Edhe mund të jetë sepse në një sezon të tillë është tepër e vështirë të luash mirë çdo ndeshje. Pas humbjes me Juventusin në Serinë A dhe pas reagimit ndaj Torinos, Milani arriti një tjetër sukses duke kaluar në çerekfinale të Kupës së Italisë. Përballë pati sërish Torinon, veçse këtë herë vuajti shumë më tepër dhe u detyrua të kërkonte edhe ndihmën e formës ekstreme të futbollit, penalltive.
Me 5 ndryshime në formacion në krahasim me kampionatin dhe me një Zllatan Ibrahimoviç titullar, kuqezinjtë u duken të shpërfytyruar në pjesën e parë, kur Torino dominoi me lojë, por deri në një farë mase edhe me raste. Pas pushimit (kur doli Ibra), Milani luajti shumë më mirë duke pasur në fushë Haugen dhe Çalhanoglunë. Kryesuesit e Serisë A dominuan, dhe jo më kot “La Gazeta delo Sport” shkruan se ishin “45 minuta si prej djalli”. U goditën dy herë shtyllat, u krijuan 2-3 raste të pastër, ndërsa u kërkua një penallti, e prej protestave të këtij rasti u përjashtua me të kuq Xhixho Donaruma që nga … stoli. Tek penalltitë, kuqezinjtë u treguan më të saktë duke i realizuar të pesta, ndërsa Toro humbi vetëm një. Tashmë pritet një çerekfinale që mund të jetë pikërisht përballë Interit.
Sfidanti.al