Mançester Junajtid në krye të Premier Ligës, por çfarë gare për titull!

Mjaftoi një fitore e vogël, veçse tepër e rëndësishme për t’u ngjitur aty ku i ka takuar deri 8 vjet më parë. Premier Liga angleze ka një kryesues të ri, Mançester Junajtidin, që la pas Liverpulin falë fitores 1-0 arritur në fushën e Bërnlit. Kanë kaluar 12 muaj që nga mbrëmja torturuese pikërisht ndaj Bërnlit, kur “djajtë e kuq” u vërshëllyen rëndshëm nga tifozët, por sa shumë kanë ndryshuar gjërat. Fituesit mbajtën topin 63 për qind dhe gjuajtën 7 herë në kuadrat, ndaj 9 të vendasve! Gjëja tjetër e bukur e mbrëmjes në Bërnli ishte se goli u shënua nga Pol Pogba (71’), ai që kishte më shumë nevojë, asistuar nga ylli i ri, Markus Rashford. Skuadra e trajnerit Solskjer diti të vuante, diti të ishte e durueshme dhe e pjekur, si dhe e sigurt në mbrojtje duke mos pasur nevojë për gol në fund, por për të mos u ndëshkuar në përmbyllje.

Mançester Junajtidi ka 36 pikë ndaj 33 të Liverpulit, kur që të dyja skuadrat kanë luajtur të njëjtin numër ndeshjesh, veçse gara për titull është tepër e fortë dhe mund të thuhet se sapo ka filluar. Nëse Mançester Siti i Guardiolës fiton dy ndeshjet e prapambetura, do të arrinte në 35 pikë, pra vetëm 1 pikë prapa kreut, ndërsa në mesin e muajit kemi duelin direkt Liverpul-Mançester Junajtid në “Anfild”. Pranë janë edhe Leisteri dhe Evertoni, madje edhe Totenhemi i Murinjos nëse fiton ndeshjen që ka më pak. Gjithsesi, tifozët e Junajtidit mund të jenë të lumtur. Skuadra e tyre doli në krye të renditjes për herë të parë pas Vitit të Ri, që nga koha e Sër Aleks Fergusonit.

Sfidanti.al