Trajneri i Lajpcigut i kërkoi falje Dortmundit dhe Halandit!

Ishte disfata e dytë në një vit për skuadrën nga Gjermania e Lindjes përballë asaj të Luginës së Ruhrit. Lajpcigu jo vetëm u mund 1-3 në fushën e vet në ndeshjen e Bundesligës ndaj Dortmundit, por edhe iu kujtua se humbi betejën për Erling Halandin në dhjetorin dhe janarin e kaluar, kur Borusia e mori për 20 milionë euro nga Salcburgu, që për më tepër është një lloj “motre e vogël” e Lajpcigut. Sulmuesi norvegjez vlen tani 100 milionë euro, ndërsa shënoi dy gola në portën e ekipit të trajnerit Julian Nagelsman. Vetë ky i fundit u detyrua të kërkonte falje për fjalët e thëna në konferencën e shtypit një ditë para ndeshjes. “Ne po planifikojmë fitoren”, – ishte shpreja e Nagelsmanit, por ai kërkoi falje që përpara sesa të niste ndeshja të shtunën në 15:30. “Ishte gabimi im që i thashë ato fjalë, – u shpreh tekniku, – nuk ishte e drejtë, u mërzita pasi u shpreha ashtu”. Tek Dortmundi nuk kanë ndonjë qejfmbetje me Nagelsmanin, por shefi ekzekutiv Vacke thotë vetëm se “për pak u krijua përshtypja se Lajpcigu na ka kaluar në hierarkinë e futbollit gjerman, por fitorja ishte shenjë e rëndësishme se ne jemi ende aty”.

Sfidanti.al