Një gol i shënuar nga Petanja dhe ndonjë ndërhyrje e rëndësishme e Etrit Berishës në portë nuk e shpëtuan këtë herë Atalantën që, edhe pse luajti mirë, doli e humbur nga stadiumi “Olimpiko” i Romës. Portieri i kombëtares shqiptare pati një ndeshje emocionuese sepse u kthye pikërisht në stadiumin që ishte më parë i veti, dhe përballë ish-skuadrës së tij, Lacios (kartoni i tij është ende lacial).
Në minutën e 21-të Petanja kaloi miqtë në epërsi, dhe bergamaskët mund të shënonin edhe ndonjë gol tjetër derisa Milinkoviç-Saviç shënoi me kokë, duke u treguar më i shkathët sesa mbrojtësit. Edhe pas pushimit, Atalanta pati një rast shumë të mirë, që nuk e shfrytëzoi me anë të Gomezit. Pak minuta më vonë Petanja shkaktoi sërish panik tek vendasit, por goli u shënua në portën tjetër. Në minutën e 67-të, Berisha u detyrua të shkaktonte penallti, i vetëm përballë Imobiles. Vetë Imobile transformoi saktë penalltinë për 2-1 përfundimtare, me Lacion që u ngjit në kuotën e 40 pikëve, shumë pranë zonës Champions.
I shkoi më mirë lojtarit tjetër të kombëtares, Elseid Hysaj, që doli fitues. Napoli mposhti 3-1 Peskarën, veçse golat u shënuan pas pushimit. Në 47’, Toneli, në të 49-ën Marek Hamshik dhe në minutën e 85-të realizoi Mertens. Një penallti e Kaprarit në 90’ ishte gjithçka që mundi të bënte skuadra e Memushajt.
E fituar këtë javë doli edhe Roma që kaloi 1-0 në fushën e Udinezes. Raxha Naingolan shënoi që në minutën e 12-të për skuadrën e trajnerit Spaleti, ndërsa gjashtë minuta më vonë, Edin Xheko humbi penallti.
Rezultatet: Lacio-Atalanta 2-1, Napoli-Peskara 3-1, Udineze-Roma 0-1, Sampdoria-Empoli 0-0, Kaljari-Xhenoa 4-1, Sasuolo-Palermo 4-1.
Renditja: Juventus 45 (-2), Roma 44, Napoli 41, Lacio 40, Inter 36, Milan 36 (-2).