Efekti i koronavirusit, kaos me Sitin, Çelsin dhe të dyja kupat!

Në një krah është Evertoni i zemëruar që u shty ndeshja me Mançester Sitin, të cilën liverpulasit donin ta luanin. Në anën tjetër janë rreziqe të tjera nga koronavirusi që mund të çorodisin periudhën festive të futbollit në Angli. Lajmet janë që dueli mes Çelsit e Mançester Sitit është në dyshim për t’u shtyrë. Po ashtu, skuadra modeste Morekamb (Morecambe) ka disa raste Kovidi dhe ndeshja e saj e Kupës së Anglisë ndaj Bluve të Londrës, po ashtu mund të mos luhet sipas programit. Ndërkaq, në Angli lajmërojnë se derbi mes Mançester Sitit e Mançester Junajtidit në Kupën e Ligës gjithashtu mund të mos luhet javën që vjen, ndonëse Siti nuk rrezikon përjashtimin. Një kaos i vërtetë, dhe një shqetësim se kur do të luhen këto ndeshje të shtyra, duke pasur parasysh ngjeshjen e kalendarit. Padyshim, do të ketë pasoja fizike dhe në rezultate për ekipin e Guardiolës.

Sfidanti.al