Lojtarët e Çelsit, “dorëzanë” që Diego Kosta të mos largohet!

Kina e pret me një “çantë” me para. Për Diego Kostën, Tianxhin Kuanxhian jep 35 milionë euro në sezon, vetëm të pranojë të veshë fanelën e tij, dhe nuk besohet të ketë kohë më të mirë për t’i hipur avionit të linjës Londër-Pekin. Gjithsesi, tek Çelsi po bëjnë çmos që sulmuesi kryesor të mos u largohet. Edhe pse trajneri Antonio Konte e përzuri nga stërvitja dhe nuk e llogariti në ndeshjen në Leiçester, sërish klubi pati “ambasadorët” e tij pranë lojtarit.

Disa nga futbollistët më me influencë kanë biseduar me braziliano-spanjollin për ta bindur që të qetësohet dhe të pajtohet me Konten. Vetë trajneri nuk e shiti lojtarin përpara mediave. i pyetur për sherrin pas fitores me Leiçesterin, italiani u tregua hermetik. “Diego Kosta pati një dhimbje në shpinë dhe e la stërvitjen përgjysmë, – tha ai, – më pas, ai nuk u stërvit me ne gjatë javës dhe mungoi në ndeshje. Ne kemi qenë pa Kostën edhe ndaj Bornemuthit, ndaj ishim të përgatitur. Madje, ne ishim të përgatitur shumë mirë”.

Çelsi pritet t’i ofrojë futbollistit, në muajt e ardhshëm, rinovimin e kontratës mbi bazën e rrogës 250 000 stërlina në javë, ndërsa akordi i mëparshëm përfundon pas 2.5 vjetësh. Mediat britanike shkruajnë se presidenti Abramoviç nuk ka ndërmend të lejojë largimin e tij për në Kinë, ndërsa skuadra e tij lufton për të fituar titullin.

Sfidanti.al