Nëse kampionati niste në 2017, Interi do të ishte favorit!

Mauro Ikardi nuk dëshiron të dëgjojë fjalë për Kinën, ndërsa Eder sulmon indirekt ish-trajnerin De Bur duke thënë se “me Piolin jemi më të bashkuar”. Nuk i duhet vënë faj, Interi po kalon një moment të madh. Me 19 pikë në 8 ndeshje në Serinë A, skuadra milaneze do të quhej favorite nëse turneu do të niste tani në fillim të vitit 2017, pavarësisht nga emrat e tjerë të mëdhenj si Juventus, Roma, Napoli apo Milan. Suksesi ndaj Kievos nuk ishte aspak i lehtë, përkundrazi, por sërish tregoi se çfarë skuadre me shpirt të madh është kjo zikaltër dhe sesi nuk pranon kurrë jo vetëm humbjen, por as barazimin.

Objektivi, për momentin, është vendi i tretë që përkthehet Champions për sezonin e ardhshëm. Trajneri Pioli e ka transformuar skuadrën që kishte damkën e dështakes së përjetshme, ndërsa me të drejtë pret që  vetë pronari Suning të bëjë “pazar” të rëndësishëm.

Interi ia doli të fitonte në 20 minutat e fundit, edhe pse Kievo kaloi e para në epërsi me të zakonshmin Serzhio Pelisie. Mauro Ikardi ishte njeriu i barazimit, me kapitenin që arriti në 62 gola në 111 ndeshje me zikaltërit, shifër e barabartë me Diego Militon, të cilit iu deshën 128 ndeshje për ta bërë. Sulmuesi është simboli, pasi ka shënuar 15 gola dhe është në krye të renditjes së rrjetave. Pioli është i lumtur që Ikardi mbështetet nga dy lojtarë krahu të nivelit të kroatit Perishiç dhe të lojtarit të kombëtares së Italisë, Kandreva. Perishiç shënoi golin e dytë, ndërsa Eder të tretin. Po ashtu, në mbrojtje debutoi shumë mirë Galiardini i ardhur nga Atalanta. Interi ka 36 pikë pas 20 ndeshjeve, me vendin e tretë për momentin vetëm 2 pikë larg.

Sfidanti.al