Armando Brojën nuk e ndalin dot mbrojtjet, por testi i koronavirusit!

Goditjen e mori në momentin më të mirë. Armando Broja po shkëlqente në elitën e futbollit holandez, me lojë e me gola, por një shkak i fortë e la jashtë sfidës së kësaj jave, pikërisht epidemia e koronavirusit. Klubi i tij, Viteshe e Arnhemit, njofton e sulmuesi i kombëtares shqiptare doli pozitiv për Kovid 19, në testin para ndeshjes ndaj Herenvenit, duke u vendosur menjëherë në izolim. Ai ishte pjesë e ekipit gjatë seancave stërvitore të kësaj jave duke kaluar me sukses testet, por tamponi i fundit e ndaloi.

Nëntëmbëdhjetë vjeçari do t’i nënshtrohet sërish vizitave mjekësore gjatë ditëve të ardhshme, por nëse do të vazhdojë të jetë pozitiv, do të mungojë në duelet e fundit të kampionatit holandez këtë vit, ndaj Fejënordit në 20 dhjetor dhe kundër AZ të Alkmarit në 23. Mungesa e Brojës do të jetë një humbje e rëndësishme për Viteshen që është shfaqur si rivali më i fortë i Ajaksit në garën për titull këtë sezon.

Kampionët në fuqi kryesojnë me 30 pikë, por ekipi i shqiptarit nuk i është ndarë, duke lënë pas ekipe me shumë më tepër emër e potencial si PSV Ajndhoven apo Fejënord. Sulmuesi 19-vjeçar është përshtatur shumë shpejt me futbollin holandez, që kur u huazua në gusht nga Çelsi i Londrës. Ylli i kombëtares ka shënuar 5 gola në 11 ndeshje duke qenë një nga lojtarët më të mirë të Viteshes dhe të gjithë kampionatit në Holandë.

Sfidanti.al