Ndikimi i tij ka qenë i madh, pavarësisht moshës. Armando Broja po e shfrytëzon më së miri minutazhi për të luajtur pas huazimit nga Çelsi tek Viteshe, dhe duket se kampionatin holandez e ka pushtuar që tani, ndonëse është vetëm 19 vjeç. Gjithsesi, rrugës ka edhe aksidente, dhe një i tillë i ndodhi javën e fundit kur shpërdoroi atë që do të kishte qenë shansi për fitoren e ndeshjes dhe mbajtjen e hapit të Ajaksit në krye të renditjes në elitën e futbollit të Holandës. Ishte minuta e 63-të e ndeshjes Groningen-Viteshe, kur sulmuesi shqiptar mori një top të shkëlqyer nga një shok i ekipit dhe shkoi drejt portës. Nuk ishte as një penallti në lëvizje, por një rast vetëm me portën.
Për fat të keq, u nxitua dhe sfida përfundoi 1-1. Nga ana tjetër, Ajaksi fitoi thellë sfidën e tij dhe u shkëput dy pikë nga Viteshe pas 9 javësh kampionat, duke pasur 24 ndaj 22 të ndjekësve. Broja e ndjeu gabimin, dhe nuk ngurroi që ta pranonte. “Është faji im që nuk fituam, – tha ai për mediat holandeze, – pata një rast të madh për të shënuar dhe për ta fituar ndeshjen, por gabova. Më vjen shumë keq. E pranoj gabimin, por dua të vazhdoj përpara, jo të ndalem te ky episod”. Gjithsesi, shqiptari 19-vjeçar është një vlerë e madhe për Viteshen këtë sezon, duke shënuar 4 gola në 9 ndeshje e duke premtuar edhe më shumë, ndërsa do të fitojë përvojë dhe pjekuri me kalimin e muajve.
Sfidanti.al