Nuk po gjen bar për t’u shënuar nga kjo sëmundje. Interi e vërtetoi edhe një herë epitetin që ka prej kohësh, “i çmendur”, në një ndeshje dramatike të Serisë A ndaj Torinos, që rrezikoi ta humbiste, por që në fund e fitoi 4-2. i fundit që ia largoi nofkën aspak të bukur ishte Zhoze Murinjo, që e udhëhoqi drejt fitores së trefishtë, Champions, Seri A dhe Kupë Italie, ndërsa tani po përpiqen ta bëjnë dy njerëz.
I pari Antonio Konte në stol, dhe i dyti Romelu Lukaku në fushë. Trajneri italian ka rikthyer besimin dhe krenarinë tek milanezët, dhe ishte pikërisht ai që mori sulmuesin belg nga Mançester Junajtidi një vit e ca më parë. Futbollisti 27-vjeçar ishte i jashtëzakonshëm në “San Siro”, ndërsa vendasit u ndodhën në humbje 0-2, pas golave të Zazës e Ansaldit me penallti.
Shënoi dy gola dhe shërbeu dy asiste për shokët e skuadrës duke qenë lider në përmbysjen e realizuar në 20 minuta. Fillimisht goditi shtyllën duke i dhënë mundësi Aleksis Sançezit ta dërgonte topin në rrjetë, dy minuta pas avantazhit të dyfishtë torinez. Pak më vonë, në të 67-ën rolen u ndryshuan dhe Lukaku shënoi i shërbyer nga sulmuesi kilen. Goli i avantazhit erdhi me vuajtje, pasi arbitri akordoi një penallti me 3 minuta vonesë, pasi studioi pamjet me VAR.
Lukaku, njeriu me nervat më të forta në skuadër, mori përsipër ekzekutimin dhe nuk gaboi. Pati kohë edhe për një vrapim të fundit për të, dhe për asistin në favor të kolegut të sulmit, Lautaro Martinez që më në fund u kthye te goli. Me këtë fitore, Interi u ngjit në kuotën e 15 pikëve, vetëm 1 pikë prapa Juventusit, ndërsa mbi të janë Milani, Sasuolo e Roma.
Sfidanti.al