Shqiptarët në Itali: Kumbulla stërvitet në shtëpi, por Strakosha mbetet në infermieri!

Mungesa e tij padyshim që ndihet. Edhe pse Roma ka një skuadër me mjaft lojtarë, sërish një si Marash Kumbulla cilësohet si shtyllë e skuadrës dhe infektimi me koronavirus po prish shumë punë. Mbrojtësi i qendrës, që përballoi me sukses Kristiano Ronaldon apo Zllatan Ibrahimoviçin, dhe që ka shënuar dy gola këtë sezon, po stërvitet në kushtet e shtëpisë për të qenë gati për rikthimin, ndoshta javën e ardhshmë.

Ai është në formën e duhur fizike, dhe thjesht kërkon të ruajë ritmin, ndërsa humbi ndeshjet e Shqipërisë në Ligën e Kombeve si dhe sfidën e Serisë A në “Olimpiko” ndaj Parmës. Trajneri Fonseka është me shpresë që Kumbulla 20-vjeçar të testohet sa më shpejt negativ me Kovid dhe të shtojë stabilitetin në mbrojtje, por edhe që të japë ndihmën e tij në sulm.

Ndryshe situata për Tomas Strakoshën. Portieri i kombëtares shqiptare është aktivizuar pak tek Lacio po në Serinë A këtë sezon, dhe duket se sërish do të mungojë. Gardiani 25-vjeçar vërtet e kaloi me sukses testin e koronavirusit, por lajmet nga Italia janë që është i dëmtuar. Kjo do të thotë se ai jo vetëm që humbi ndeshjen e së shtunës në fushën e Krotones, fituar 2-0, por edhe që nuk do ta ndihmojë dot skuadrën kryeqytetase as në sfidën e mesjavës në Champions, kundër Zenitit të Shën Peterburgut.

Sfidanti.al