Kush do jetë në krah të Mbapesë? Franca përshëndet “rekordmenin” Zhiru!

Shpesh të duket sikur ke të bësh me një “kalë europian”, nga ata të shartuar për të mbajtur ngarkesa, por kjo nuk e ka penguar që të shënojë gola. Olivier Zhiru është sulmuesi ndoshta më shumë i nënvleftësuar i Francës, por po ashtu njeriu që habit më tepër nga të gjithë. Në një kombëtare ku luajnë talente të shkëlqyer si Kilian Mbape apo Antuan Grizman, Zhiru ka ditur t’i bëjë vend vetes, madje iu përgjigj edhe paralajmërimeve të trajnerit Deshamp. “Të duhet minutazh”, – tha tekniku, por sulmuesi u përgjigj me 2 gola në fitoren 4-2 ndaj Suedisë në Ligën e Kombeve. Veterani ka 44 gola me “gjelat” duke u shkëputur edhe më shumë nga ish-rekordmeni Mishel Platini që ka 41 gola, ndërsa rekordmeni i sotëm, Tieri Henri nuk duket aspak larg me 51 rrjetat e tij. Zhiru ka një përvojë të madhe me 105 ndeshjet e tij për Francën, dhe kjo mund ta bëjë një “krah” të fortë për Kilian Mbapenë, kur ky të kthehet në ekip. Vetë Mbape ka vetëm 16 gola me kombëtaren, ndërsa Grizman ka 33.

Sfidanti.al