Në vitin 1992, ndërsa presidenti i Federkalços, Matarreze, deklaronte se duheshin bërë kursime, dikush hyri fshehurazi në zyrat e tij, nxorri nga sirtari një letër të firmosur dhe ia dërgoi “Il Korriere delo Sportit” që e botoi. Në atë letër ishte rroga e Arrigo Sakit si trajner i kombëtares së Italisë që në atë kohë, me lireta shkonte në 3.5 miliardë bruto në vit, ose në 1.7 miliardë pas taksave. Në atë kohë bëri bujë të madhe, pasi për 3 vjet, komisari teknik do t’i kushtonte 11.5 miliardë lireta, diçka që nuk kishte ndodhur me Bearxotin apo me Viçinin. Ky i fundit mori 500 milionë lireta vitin e fundit në 1991.
Që nga ajo kohë, rrogat e trajnerëve të Italisë përgjithësisht kanë qenë të larta, ndërsa që nga 2001-shi e këtej llogariten me euro. Marçelo Lipi, që doli kampion bote në 2006, mori 1.5 milionë euro në vit, po kaq Xhampiero Ventura që erdhi të luante edhe në Shqipëri, Çezare Prandeli e pati 1.7 milionë euro në vit, ndërsa Roberto Mançini fiton 2.5 milionë. Rekordin e mban Antonio Konte me 4.5 milionë euro në vit, ndonëse gjysmat e parave u paguan nga sponsorët. Jo keq të jesh trajner i Italisë.
Sfidanti.al