Këtu nuk jemi në Paris dhe fusha e lojës nuk është ajo me dheun e ngjeshur në “Rolan Garos”. Napoleoni dikur thoshte se “në tokë unë jam një luan, ndërsa në det një amator”, e këto fjalë mund t’i thotë edhe Rafael Nadali kur vjen puna për të krahasuar Çmimin e Madh të Francës me Turneun e Finaleve të ATP-së. Në Londër, në sipërfaqen me çimento, dominon Novak Gjokoviçi, edhe pse vitet e fundit ka pasur “gjela të rinj”. Tenisti serb sërish është i fortë dhe ditën e sotme mund të arrijë fitoren e dytë në grup, pas asaj 2-0 ndaj Shvarcmanit. Nadal, në të kundërt, u mund 0-2 nga Dominik Tim (7-6, 7-6). Tim u kualifikua për në gjysmëfinale pasi Cicipas mundi Rublevin 2-1 (6-1, 4-6, 7-6). Gjokoviç, ndërkaq ka 37 fitore deri tani në Finalet ATP, shumë pranë 39 fitoreve të Ivan Lendlit, por ende shumë prapa rekordit të Rozher Federerit që ka 59 suksese. Nole mbylli vitin e 6-të në krye të renditjes botërore, duke barazuar rekordin e Pit Samprasit. Ai është 5 herë kampion në “Finals” dhe nëse fiton për herë të gjashtë, do të barazonte rekordin tjetër të Federerit.
Sfidanti.al