Kapiteni i Realit dhe rekordmeni i golave të Madridit mund të bashkohen sërish në të njëjtin ekip. Këta janë Sergio Ramos dhe Kristiano Ronaldo, dhe kjo mund të ndodhë pasi Paris SG ka shprehur (sipas burimeve pranë klubit) interesim për t’i marrë që të dy. Më parë, vetë drejtori sportiv i parizienëve, Leonardo, nuk e hodhi poshtë mundësinë për CR7-ën, duke thënë se “në futboll, ndonjëherë ndodhin çudira”. Jo vetëm kaq, por sipas disa burimeve mediatike, PSG është gati t’i ofrojë Ramosit aq vite kontratë dhe aq para në bankë sa mbrojtësi do të dëshirojë. Një “çek i bardhë” pra për 34-vjeçarin, kontrata e të cilit në Madrid përfundon verën e ardhshme. Një nga miqtë e Ramosit, Kristobal Soria, foli për një media spanjolle dhe deklaroi se “ndonëse fiksimi i Sergios është që të qendrojë tek Reali, ai për momentin po sheh më shumë jashtë sesa brenda. Për mua, ai ka vetëm 20 për qind shanse të mbetet në Madrid”. Ramosi pëlqen edhe Milanin, por rroga e tij e lartë (12 milionë në vit, plus shpërblimet) është jashtë mundësive të klubit italian.
Sfidanti.al