Prag Milan-Roma, Marasha Kumbulla në testin “Zllatan Ibrahimoviç”!

Do të luhet padyshim një klasike e madhe. Milani e Roma janë dy nga skuadrat historike të Serisë A, përveçse më të dashuruara se të tjerat me spektaklin, ndaj edhe dueli i sotëm në “San Siro”, në 20:45, pritet me mjaft kërshëri. Një tjetër shans i madh për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, për të treguar veten, vetëm pak ditë pas shkëlqimit në Ligën e Europës, kur shënoi në fushën e Jang Bojsit në Zvicër, dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.

Trajneri Paulo Fonseka do të ketë sërish ndihmë për të, ndërsa të dëmtuarit janë të shumtë si Smolling, Xaniolo, Pastore, Kalafiori, Diauara apo Mançini. “Pavarësisht mungesave, ne jemi në formë të mirë dhe jemi gati, – tha trajneri roman, – skuadra ka besim. Milani është një skuadër e shkëlqyer dhe trajneri Pioli po bën një punë të madhe. Do të luajmë ndaj një ekipi të tërë, jo thjesht ndaj Ibrës”.

Gjithsesi, Milani është tronditur jo pak në prag të sfidës Dy futbollistë të rëndësishëm si portieri Donaruma dhe sulmuesi Hauge, dolën pozitivë për koronavirus pas testeve të së dielës. Ata u vendosën në karantinë, ndërsa menjëherë më pas u bë një seri tjetër testimesh, nga e cila nuk pati të infektuar të tjerë. Trajneri Pioli nuk pritet të ketë në dispozicion të dëmtuarit Çalhanoglu, Rebiç apo Gabia.

“Më vjen keq për lojtarët që do të mungojnë, por kjo është situata dhe duhet të përshtatemi, – tha Pioli, – e kemi nisur mirë sezonin dhe do të përpiqemi të vazhdojmë kështu. Kemi përballë një rival të fortë që ngjan shumë me Milanin. Do të jetë një ndeshje e hapur, ndonëse duam fitoren pasi ambicia është e madhe”.

Mëkat i madh mungesa e Donarumës, portierit titullar, në vend të të cilit do të luajë rumuni Tatarushanu, por po ashtu edhe Hauge prish punë. Norvegjezi 21-vjeçar ishte në formë të madhe, siç e tregoi edhe në Ligën e Europës, në fitoren 3-1 në Skoci ndaj Sëlltikut. Milani, gjithsesi, është me besim sepse ka 8 fitore në 8 ndeshje zyrtare këtë sezon, falë edhe një Zllatan Ibrahimoviçi në formë të madhe.

Sfidanti.al