Siti nuk ka ndërmend të fitojë, barazim 1-1 me Uest Hemin dhe pasiguri për Guardiolën!

Një personalitet futbolli kritikoi pak kohë më parë Pep Guardiolën për futbollin e tij tiki-taka. Ky ishte Feliks Magati, ish-ylli i Gjermanisë, që theksoi se pa yje si Lionel Mesin, Ksavin apo Iniestën, stili i trajnerit katalanas bëhet steril. Kështu u duk edhe në duelin e Mançester Sitit në fushën e Uest Hemit në Premier Ligën angleze, ku skuadra e Guardiolës nuk shkoi më larg se barazimi 1-1.

Siti hodhi një tjetër hap të gabuar që mund t’i prishë punë në garën për titull, ndërsa nuk i bënë punë epërsia territoriale. Ish-kampionët mbajtën topin 70 për qind në “Stadiumin e Londrës”, patën 14 gjuajtje drejt portës e 7 në kuadrat, shumë më tepër sesa vendasit, por nuk gjetën dot momentet e duhura për të dërguar topin në rrjetë. Përkundrazi, Uest Hemi kaloi i pari në epërsi me golin me roveshatë të shënuar nga Majkëll Antonio, dhe “Qytetarët” vuajtën shumë derisa barazuan.

U desh të hidhej në fushë i riu Fil Foden në vend të Kun Agueros që kjo të ndodhte, ndërsa Foden pati një ndikim të madh në lojën e miqve. Çfarë po ndodh me ekipin e Guardiolës që ndodhet pranë mesit të tabelës në Premier Ligë? Siti duket që nuk është në formë, që është tronditur shumë nga dështimi në Champions, por edhe nga pasiguria për të ardhmen e trajnerit katalanas.

Sfidanti.al