Futbolli nuk fiton vetëm nga ligji i sponzorizimit, një yll nga Serbia drejt Man. Sitit!

Quhet Filip Stevanoviç, është vetëm 18 vjeç dhe duket se e ardhmja e tij do të jetë tek Mançester Siti. Ky talent fare i ri luan në Superligën e Serbisë për Partizanin e Beogradit dhe për kartonin e tij, klubi anglez do të paguajë rreth 7 milionë euro. Nuk është një shifër tepër e lartë në Angli, por mjaft e mirë për Serbinë, pasi Partizani apo Crvena Zvezda mbijetojnë edhe duke transferuar lojtarë. Pak vjet më parë Zvezda transferoi tek Benfika yllin e sulmit, Luka Joviç dhe fitoi jo pak.

Këtë duhet ta lexojnë mirë klubet shqiptare që mendojnë se fitimet mund të vijnë vetëm nga lëshimet apo favoret e qeverisë dhe parlamentit. Natyrisht, kjo duhet sidomos për të rritur investimet në infrastrukturë dhe në klubet e sportveve të ndryshme, por thelbi i sportit, pra edhe i futbollit është shkolla. Nëse nuk ke një shkollë, pra një akademi për të qenë, me trajnerë të kualifikuar e me integritet moral, nëse nuk ke një organizim dhe një filozofi bashkëkohore, nuk mund të kesh “prodhim”, pra as sukses sportiv dhe as fitim financiar.

Sfidanti.al