E para është çështje më e vjetër që nuk po njeh zgjidhje, ndërsa e dyta po krijohet tani. Pol Pogba dhe Kai Haverc u transferuan thuajse për të njëjtën shifër, përkatësisht tek Mançester Junajtidi dhe Çelsi (edhe pse në kohë të ndryshme), dhe që të dy po i japin probleme trajnerëve të tyre. Mançester Junajtidi ndeshet sot me Çelsin në “Old Traford” dhe Ole Gunar Solskjer është në dilemë nëse Pogba duhet të jetë apo jo titullar. Edhe pse pa dëmtime, ndryshe nga sezoni i kaluar, mesfushori francez nuk ka bindur dhe është lënë në stol në dy ndeshjet e fundit, të cilat Junajtidi i fitoi duke shënuar gjithsej 6 gola. Çfarë do të ndodhë sot, ndërsa Solskjer ka vendosur ta mbajë kampionin e botës deri në 2022, të paktën? Haverci është problem më i ri, dhe në Angli po thonë se trajneri i Bluve të Londrës, Lampard, nuk po i gjen pozicionin e duhur në fushë një lojtari që erdhi me gati 100 milionë euro shpenzim. Ylli gjerman 21-vjeçar ka kombinuar gjëra të mira (4 gola të shënuar), dhe ndeshje të dobëta siç ndodhi ndaj Seviljes në Champions. Analistët mendojnë se ai duhet të përmirësohet, por besohet se do të jetë sot titullar në “Old Traford”.
Sfidanti.al