Kupa e Anglisë është padyshim kompeticioni më i veçantë në botë. i vjetër në moshën 144-vjeçare, me formatin që rrezikon edhe më të fortët, dhe me traditën ku edhe ekipet më të vegjël duan “të vrasin” gjigandët. “Përralla” e këtij edicioni ishte Istleig FC (Eastleigh), skuadër e kategorisë së pestë (Liga Kombëtare), që arriti deri në turin e tretë. Skuadra e një klubi me buxhet fare modest (merr 5 000 stërlina nga e drejta televizive në një ndeshje shtëpiake), u detyrua të ngrinte “flamurin e bardhë” në fushën e Brentfordit të kategorisë së dytë madje duke u mundur 1-5, por trajneri Martin Alen e quajti gjithsesi këtë përballje si “kulmin e karrierës sime”.
Alen, që njihet në futbollin anglez me nofkën “Qeni i Çmendur” (Mad Dog) vuajti shumë në stadiumin “Grifin Park”, edhe pse u prit shumë mirë nga tifozët pasi 10 vjet më parë ishte trajner pikërisht i Brentfordit. Alen dhe Istleig vërtet formuan një binom “vrasësish” të gjigandëve. Trajneri ia kishte dalë edhe më parë të bëhej i shquar, pikërisht me Brenfordin, kur ky ishte në kategorinë e tretë, duke arritur plej ofin për në kategorinë e dytë dhe duke mbërritur dy herë radhazi në turin e pestë të Kupës. “Viktima” e tij më e madhe ishte skuadra e Premier Ligës, Sandërlendi.
Megjithë humbjen, “Qeni i Çmendur” Alen dhe Istleig i tij dolën me kokën lart nga “Grifin Parku” të përshëndetur nga rreth 12 000 tifozë. Ata do të luajnë javën që vjen në stadiumin e tyre “Stadiumi i Liqenit të Argjendtë” dhe do të brohoriten nga 5 000 tifozë të ekzaltuar.